‘E hodhën si plehra dhe ikën’/ Vd*kja e 19-vjeçares shqiptare në Greqi, nëna kërkon drejtësi

Ngjarja tragjike e humbjes së jetës së 19-vjeçares shqiptare, Myrto, ka tronditur opinionin publik në Greqi. E reja ndërroi jetë pas një ataku kardiak, i cili dyshohet se u shkaktua nga konsumimi i kokainës, substancë që, sipas hetimeve paraprake, i ishte dhënë nga tre persona të afërt me të, tashmë të arrestuar nga autoritetet.

Në një intervistë për mediat greke, nëna e viktimës ka rrëfyer dhimbjen e thellë që po përjeton, duke theksuar se çdo ditë jeton me barrën e humbjes së fëmijës së saj dhe me pyetje pa përgjigje për rrethanat e ngjarjes.

“Pse e braktisën? Pse e lanë të vdiste? Pse e trajtuan si të ishte pa vlerë? Pse duhet të jetoj duke numëruar ditët pa vajzën time? Dua që përgjegjësit të ndëshkohen. Fëmija im ishte një shpirt i mirë dhe i bukur. Mos lejoni që vajza të tjera të humbasin jetën në këtë mënyrë”, është shprehur ajo mes lotësh.

Ajo ka treguar se jeta e saj ka ndryshuar rrënjësisht që prej asaj nate tragjike, duke theksuar se çdo mëngjes zgjohet me të njëjtën dhimbje dhe çdo natë përballet me të njëjtën boshllëk të pazëvendësueshëm.

Nëna e Myrtos, e cila punon si infermiere me kohë të plotë në spitalin e Kefalonisë, është thirrur në urgjencë gjatë natës fatale, pa qenë në dijeni të asaj që do të përballej. Në ambientet e spitalit, ajo u përball me skenën më të rëndë për një prind: trupin e pajetë të vajzës së saj.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.