Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në zonën e Paskuqanit, ku një i ri është bërë shënjestër e një grabitjeje pasi kishte ekspozuar në rrjete sociale një orë që pretendonte se kapte vlerën deri në 200 mijë euro.
Bëhet fjalë për Klodian Gjokën, i cili kishte publikuar në TikTok pamje të orës luksoze, duke tërhequr vëmendje të madhe online. Por duket se ky ekspozim i ka kushtuar shtrenjtë.
Sipas dëshmisë së tij, rreth tre javë më parë, ndërsa po lëvizte me automjet, një makinë tjetër i ka prerë rrugën, duke e detyruar të devijojë në një rrugicë të izoluar. Aty është përballur me autorët, të cilët i kanë marrë orën dhe më pas janë larguar, duke i hedhur çelësat e makinës në tokë.
Pamjet nga kamerat e sigurisë tregojnë lëvizjet e dyshuara të autorëve nëpër rrugicat e zonës, por deri tani ata nuk janë identifikuar nga autoritetet.
Në deklaratën e dhënë në polici, i riu ka theksuar se personat përdornin në automjet sinjalistikë që ngjante me atë të policisë, duke shtuar dyshimet për një grabitje të mirëorganizuar. Ai ka pranuar gjithashtu se ora e reklamuar nuk ishte origjinale, por një imitim.