Dosja “Black Eagle” nuk ndalet vetëm te trafiku ndërkombëtar i kokainës. Në pjesët e fundit të vendimit gjyqësor, SPAK dhe Gjykata përshkruajnë një skemë të dyshuar pastrimi parash, ku fitimet nga narkotikët dyshohet se janë futur në pasuri të paluajtshme, vila, troje dhe kompani ndërtimi në Shqipëri.
Në dosje përmenden konkretisht investime në Tiranë dhe në bregdetin e jugut, përfshirë Palasën, Vunoin, Himarën dhe Vlorën. Sipas arsyetimit të Gjykatës, të ardhurat e dyshuara nga aktiviteti kriminal janë investuar në zona elitare dhe me vlerë të lartë, ku ndërtimi dhe turizmi kanë krijuar mundësi për qarkullimin e shumave të mëdha monetare.
Një nga episodet kryesore lidhet me kompleksin Green Coast në Palasë. Në dosje përmenden vila në Green Coast, toka të përfituara për ndërtimin e këtij kompleksi, si dhe veprime që lidhen me projektin e identifikuar si “Green Coast 4”. SPAK dyshon se përmes këtyre investimeve janë përdorur para me origjinë kriminale, duke kaluar përmes personave të tretë dhe strukturave ekonomike për të fshehur pronësinë reale.
Në listën e episodeve të evidentuara nga SPAK përmenden veprimet e kryera nga Adrian Rama, Artur Shehu, Arben Ismailaj, Alfredo Hamzai dhe Ardian Zykaj në lidhje me vilat në Green Coast. Në një tjetër pikë përmenden Arben Ismailaj, Artur Shehu, Alfredo Hamzai dhe Ardian Zykaj për toka të përfituara për të ndërtuar kompleksin Green Coast, ndërsa një tjetër episod lidhet me ndërtimin e “Green Coast 4”, ku përmenden Arben Ismailaj, Alfredo Hamzai, Ardian Zykaj dhe Luciano Koçeku.
Dosja përshkruan edhe një tjetër aset të rëndësishëm në Tiranë: truallin në rrugën “Dervish Hima”, pranë stadiumit “Air Albania”, i njohur si “toka tek Juvenilja”. Sipas SPAK, veprimet e kryera në lidhje me këtë pronë, nga persona si Adrian Rama, Artur Shehu, Elton Memeti, Alfredo Hamzai, Ardian Zykaj dhe Besnik Myftari, ngrenë dyshime për fshehje të pronësisë reale, transferime të pasurive dhe vështirësim të gjurmimit të burimit të fondeve.
Në vendim thuhet se personat nën hetim dyshohet se kanë përdorur disa mënyra për të fshehur paratë: transferim të pasurive tek persona të tjerë, krijim të pronarëve formalë, përdorim të subjekteve ndërtuese, copëzim të pronave dhe shitje të tyre pas tjetërsimit. Qëllimi, sipas dosjes, ishte shmangia e lidhjes mes përfituesve realë dhe pasurive të krijuara nga të ardhurat e trafikut.
Në këtë skemë përmenden edhe kompani konkrete. Dosja citon “Nova Construction”, “LTD”, “2A Construction”, “Onix”, “Top Seven” dhe “Top Seven Construction” si subjekte ku shfaqen interesa apo veprime të lidhura me personat nën hetim. Për Luciano Koçekun, Ilir Shtufin dhe Gëzim Islamin përmenden veprime investimi në ndërtime në zonën e Tiranës përmes shoqërive “LTD” sh.p.k. dhe “Nova Construction” sh.p.k.
Sipas SPAK, skema e dyshuar nuk funksiononte si një blerje e thjeshtë prone. Të ardhurat fillimisht kalonin përmes mekanizmave të transferimit, sistemeve alternative të pagesave, transfertave informale dhe personave të besuar. Më pas ato integroheshin në shoqëri tregtare, projekte ndërtimi dhe pasuri të paluajtshme, duke u paraqitur si kapital i ligjshëm.
Gjykata thekson se modus operandi i konstatuar në këto raste është i ngjashëm me veprime të grupeve kriminale që kanë operuar në zona si Palasa, Himara, Dhërmi, Vlora dhe Tirana. Sipas vendimit, përdorimi i subjekteve zhvilluese ndërtuese dhe integrimi i të ardhurave të paligjshme në projekte të tilla krijonte mundësi për pastrimin e parave dhe për shkëputjen e lidhjes me përfituesit realë.
Në dosje, Luciano Koçeku përshkruhet si një nga personat që kishte rol në drejtimin dhe kontrollin e aktivitetit kriminal, jo vetëm në trafikimin e kokainës, por edhe në qarkullimin e fitimeve. Sipas SPAK, ai kishte kontakte me grupe kriminale në Europë dhe Amerikën Latine, kontrollonte rrugë transporti, furnizime dhe më pas kanalizimin e të ardhurave drejt investimeve.
Nga komunikimet SkyECC, sipas dosjes, grupi diskutonte për ngarkesa kokaine të fshehura në qymyr, fruta, mish, sojë dhe mallra të tjera. Përmenden linja nga Kolumbia, Ekuadori, Peruja, Brazili dhe Paraguai drejt porteve të Belgjikës e Holandës. Në dosje përmenden edhe sekuestrime të mëdha, përfshirë 441 kilogramë kokainë në Barcelonë, 162 kilogramë në Birmingham, 1.435 kilogramë në portin e Roterdamit dhe ngarkesa të tjera që sipas hetuesve lidhen me këtë rrjet.
Sipas dokumenteve, qarkullimi financiar i grupit ishte në përmasa shumë të mëdha. Në dosje përmenden shuma që arrijnë në 12,635,670 euro, 14,192,689 paund, 5,035,000 dollarë dhe 1.5 milion pesos, të cilat sipas hetuesve lidhen me pagesa, përfitime dhe qarkullim të fondeve nga aktiviteti kriminal.
Për SPAK, hallka më e rëndësishme e kësaj dosjeje është pikërisht kalimi nga trafiku i kokainës te investimi në ekonomi. Nga Amerika Latine në portet europiane, nga laboratorët në Belgjikë e Holandë te vilat, trojet dhe kompanitë e ndërtimit në Shqipëri, dosja “Black Eagle” përshkruan një skemë ku paratë e drogës dyshohet se u kthyen në beton, prona dhe investime në zonat më të shtrenjta të vendit.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar se cilat pasuri, kompani dhe projekte ndërtimore janë përdorur realisht për pastrimin e parave dhe kush janë përfituesit fundorë të tyre./Vna.al, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE