Tiranë, 24 shkurt 2026 – Zbardhen detaje të reja nga aksidenti i rëndë rrugor i regjistruar në orët e para të mëngjesit në zonën e Selvisë, në kryeqytet, ku një automjet është përplasur me një motomjet.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00, ndërsa si pasojë kanë mbetur të lënduar dy të rinj rreth 20 vjeç, të cilët tashmë janë identifikuar si Gledis Zefi dhe Abdurrahman Bollati.
Të plagosurit janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës, ku po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Policia e pyetur nga noa.al, duke folur për aksidentin tha se janë ende duke u kryer veprime për të zbardhur çfarë ndodhi që pa gdhirë.
Sipas burimeve spitalore, Gledis Zefi ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po mbahet nën kujdes intensiv, ndërsa Abdurrahman Bollati, i cili drejtonte motomjetin, paraqitet në gjendje të qëndrueshme.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit, si dhe për të përcaktuar përgjegjësitë përkatëse.