Burrnesha e Rrjollit, Luçiana Kokaj detyron punëtorët e Ulajt të zbresin nga fadromat

Në Rrjoll, tensioni vazhdon. Edhe pse Apeli ka dhënë të drejtë banorëve, në terren fadromat e kompanisë së Bashkim Ulaj vijojnë punën, duke thelluar përplasjen mes komunitetit dhe interesave të mëdha ekonomike.

Mes dhjetëra protestuesve që dalin çdo ditë nga mëngjesi deri në mbrëmje, një emër është kthyer në simbol qëndrese: Luçiana Kokaj. E ardhur nga Anglia për të mbrojtur tokat e të parëve të saj, ajo është sot një nga zërat më aktivë dhe më të vendosur të Rrjollit.

E artikuluar, e guximshme dhe e palëkundur, Luçiana nuk është mjaftuar vetëm me thirrje dhe pankarta. Në disa raste ajo ka arritur të ndalojë përkohësisht punimet, duke u përballur drejtpërdrejt me drejtuesit e mjeteve dhe duke i detyruar të zbresin nga makineritë. Një akt që për shumëkënd është kthyer në simbol rezistence qytetare.

Në ditë të vështira për komunitetin, figura e saj është bërë frymëzim për qindra banorë që ndihen të pambrojtur përballë politikës dhe oligarkëve. Edhe ditën e sotme ajo ka vepruar njejtë ku është përplasur fuqishëm me punëtorët dhe policinë.