Avokati i njohur, Idajet Beqiri ka hedhur akuza të forta ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Gjatë një interviste televizive për “Abc News”, ai foli për zhvillime që sipas tij mund të tronditin skenën politike në vend. Avokat Beqiri u ndal te dosja “non-grata”, duke paralajmëruar se ajo mund të rikthehet me prova të reja dhe të sjellë pasoja të rënda ligjore. Ai theksoi se Prokuroria e Posaçme (SPAK) mund të hapë hetime të reja për çështje të bujshme të së shkuarës së ish-kryeministrit Sali Berisha.
Sipas tij, një rol kyç në këtë proces pritet të luajë edhe ambasadori i ri amerikan në Tiranë, Eric Wendt, i propozuar nga presidenti Donald Trump, i cili mund të shtyjë përpara zbardhjen e këtyre dosjeve. Ndërkohë avokat Beqiri shtoi se ardhja e tij mund të jetë vendimtare dhe, sipas tij, mund të çojë në “fundosjen” politike dhe ligjore të Berishës.
-Avokat Beqiri, ka pasur një kohë jo shumë të largët, le të themi, kur shumë shqiptarë largoheshin nga Shqipëria, por megjithatë sot diaspora shqiptare duket se ka marrë vëmendjen e qeverisë, duke u zhvilluar madje dhe Samiti i Katërt i Diasporës. Por çfarë i ofron sot Shqipëria diasporës shqiptare?
Po, dëgjo tani. Problemi është që diaspora është kthyer në një forcë të jashtëzakonshme, domethënë forcë shumë të madhe kombëtare. Ajo e tillë ka qenë gjithmonë për kombin shqiptar. Të mos harrojmë një fakt që ne në Shqipëri, domethënë nuk i kemi kaluar kurrë 4 milionë banorët apo në të gjitha hapësirat shqiptare, domethënë kemi qenë jo më shumë se 7 milionë banorë, por rreth 17-18 milionë shqiptarë ne i kemi pasur në vendet e ndryshme të Evropës edhe të botës. Thuajse dyfishi ka qenë jashtë. E njëjta situatë është dhe tani me diasporën e re që mund t’i themi ne, domethënë pas viteve ’90. Ne aq sa kemi në vendin tonë, po kaq kemi edhe në diasporë. Dhe tashmë ka ardhur momenti që ai fenomen kur shqiptarët iknin nga sytë këmbët edhe nuk donin t’i shikonin sytë këtij vendi për shkak të atij regjimi, do thoshja unë nga më të egrit, që u vendos këtu me ardhjen në pushtet të Berishës. Ai erdhi me urën e zjarrit edhe erdhi me vrasje, erdhi me burgosje politike, edhe të liderëve të partive politike, por edhe të një numri të konsiderueshëm gazetarësh e të tjerë, apo cilido që mendonte ndryshe kundër tija, domethënë ndëshkohej në këtë mënyrë. Nga ana tjetër, duke ju vrarë puna, sepse iu vra puna shqiptarëve; edhe cilido kombi, në rast se ti i vret punën, domethënë e ka marrë fund ai komb, sepse ti nja 500 e ca fabrika, uzina, kombinate e të tjera i mbylle të gjitha dhe i detyrove që të iknin jashtë. Kurse sot është ndryshe.
Çfarë ka ndodhur sot? Sot ka ndodhur ajo që ky fenomen jo vetëm është bllokuar njëherë e mirë, por nga ana tjetër janë krijuar kushte në vendin tonë të tilla që shqiptarët po i kthejnë sytë nga atdheu i tyre. Po i kthejnë sytë jo thjesht dhe vetëm nga përvojat e shkëlqyera që kanë marrë jashtë ku kanë qenë, që kanë mësuar profesione nga më të mirat edhe që janë bërë mjeshtra të bujqësisë, mjeshtra të ndërtimit, mjeshtra të fabrikave edhe të prodhimeve nga ato që ne më parë nuk na shkonte në mend, dhe sot i bëjmë prapë në vendin tonë. Por nga ana tjetër, edhe politikat, sidomos të këtyre viteve të fundit, politikat qeverisëse kanë qenë të tilla që janë shumë favorizuese.
Të mos harrojmë një gjë: në rast se në Shqipëri vijnë 12 milionë turistë, këta 12 milionë turistë do të thotë vende pune, dhe ne tani marrim në mjaft vende të ndryshme të botës dhe nuk plotësojmë dot nevojat me fuqi punëtore. Të mos harrojmë infrastrukturën, që edhe infrastruktura është një gjë e jashtëzakonshme. Çfarë kërkonin shqiptarët gjithmonë këtu në këtë vend? Qeverisë i thoshin: “Na jep rrugën, na jep ujin, na jep dritat dhe po na dhe rrugën, ujin e dritat, dimë ne si veprojmë pastaj dhe dimë ne si të jetojmë”. Po rrugët tani kanë shkuar, ne vemi në Vermosh, ne vemi në Valbonë, ne vemi në Theth, ne vemi në gjithë jugun e Shqipërisë, ne i bëjmë kryq e tërthor Shqipërisë, bregdetit e të tjera, dhe kemi infrastrukturë.
-Avokat, ishte ditë feste për diasporën në Tiranë, por këtë ditë feste në një farë mënyre tentoi që ta prishte Berisha i vetëm nga selia. Ai ka tentuar që të sulmojë Samitin e Katërt të Diasporës për shkak të Edi Ramës, ndërsa përdori edhe një postim të një baristi shqiptar, Dritan Alsela, që punon dhe jeton në Gjermani, për të sulmuar Ramën. Megjithatë, baristi shqiptar iu kthye Berishës duke e akuzuar atë pikërisht për largimin e tij nga Shqipëria, por edhe të shumë shqiptarëve të tjerë. Nuk e di si e lexuat ju reagimin e këtij shqiptari që jeton në Gjermani, dhe a është vërtet Berisha një nga arsyet kryesore që shqiptarët kanë ikur, ndoshta edhe vazhdojnë të ikin?
Po, regjimi i Berishës ose misioni i Berishës, ne kemi thënë, nuk është problemi për të bërë propagandë, por realisht ka qenë dora e zgjatur dhe ka qenë ekzekutori i planit të Çubrilloviçit. Ky njeri erdhi si serb dhe ky e vuri në jetë planin e Çubrilloviçit për ta pakësuar popullin shqiptar, për t’i bërë trojet tona, kudo që janë, me sa më pak shqiptarë, me sa më pak potencial njerëzor, fizik e të tjerë. Ai këtë gjë e nisi qysh kur ishte në opozitë. Ju e keni parasysh sa shqiptarë janë traumatizuar, madje sa shqiptarë kanë ikur nga kjo jetë.
Jo se ju dhimbsej se u rrëzua komunizmi, siç thonë disa, edhe ishin nostalgjikë, edhe u shokuan që ra komunizmi edhe vdiqën, jo. Ata, kur panë që digjeshin fabrika, digjeshin uzina, që plantacione të tëra ku kishte punuar një jetë populli shqiptar, plantacione qershish, mollësh, dardhash, ato tokat e Shqipërisë të sistemuara në mënyrë të shkëlqyer me kanalizime e me të gjitha; kur filluan që mbi to, mbi kolektorë të ndryshëm të bëheshin ndërtime dhe të zbarkonin në tëra anët e Shqipërisë pa një lloj kontrolli, ishte një pushtim i jashtëzakonshëm që iu bë vendit.
Dhe pastaj kur shikonin se si digjeshin, si i vihej flaka uzinave, fabrikave të ndryshme e të tjera, si u mbyllën ato, ato bënë që shqiptarët ta braktisin vendin. Të gjitha Saliu i shkatërroi, ai me urën e zjarrit erdhi. Nuk i harrojnë shqiptarët ngjarjet, bie fjala në Pukë, në Fushë-Arrëz si digjeshin, në Shkodër si u veprua që vajtën të digjnin bibliotekën kombëtare atje, thjesht dhe vetëm të vinte në pushtet Saliu. Komisariatet e policisë gjithandej e të tjerë. Urën e zjarrit mori edhe çfarë ngjarjesh të rënda ndodhën. “Komunistët në litarë, veteranët e luftës në hanxhar”, thoshte Saliu.
Mirëpo me parrulla të tilla ishte traumë e vërtetë në këtë vend. Pse? Sepse do ta ndërtojmë me të vërtetë demokracinë, duam një regjim tjetër, sepse nuk ishim ne të parët që e bëmë, por e bëri gjysma e botës, Lindja e gjitha që mori këtë rrugë që kur ra Muri i Berlinit. Por këtu u bë me mjete të tilla që Shqipëria të dobësohej me çdo kusht, siç u dobësua, dhe pastaj si rrjedhojë, vetëm gjatë viteve 1991-1997 ky vend u pakësua me rreth 20% të popullsisë që vdiqën. Shikoni, ne jemi akoma të traumatizuar, por do vijë shumë shpejt dita që do bëhen studime për këtë punë, se pse ikën nga kjo jetë një numër kaq i madh njerëzish në sajë të këtyre politikave shfarosëse të Berishës . Si rrjedhojë, duke bërë një politikë të tillë, çfarë bënin shqiptarët? Shqiptarët detyroheshin, se ti kur vrave në 2 prill për të ardhur në pushtet, apo kur bëre masakrën e 26 majit ’96 për ta mbajtur me çdo mjet dhune pushtetin, apo me çfarë bëre në ’97-ën që ua vodhe të gjitha lekët me piramidat, rreth 4-5 miliardë dollarë shqiptarëve, dhe pastaj i vrave 10,000. Kur ti vërsul veriun kundër jugut të Shqipërisë në luftë civile, atëherë çfarë do bënin shqiptarët?
Hipnin në anije si “Sibilja” që i orientonte vetë Saliu dhe i mbyste në det, ose merrnin malet e Greqisë dhe ngelën në borë e të tjera me radhë. Kështu që ky emigranti tani, ky i diasporës atje në Gjermani, i ka përjetuar këto, i kanë përjetuar njerëzit e vet dhe e ka parë se çfarë politike u ndoq dhe si ky u bë armiku më i betuar, pra Berisha me qeverisjen e tij, i Shqipërisë dhe i shqiptarëve; i mori e i hodhi në det, ose nëpër male, ose i dëboi. Nga ana tjetër, ai vazhdon një politikë të tillë sepse njerëzit tani kanë një qeverisje, por janë të bindur që kanë nevojë për ndryshime. Por ata kur mendojnë që ndryshimi në anën tjetër është Berisha, ata traumatizohen edhe më keq edhe kurrën e kurrës nuk e imagjinojnë dot të vijnë në këtë vend me urën e zjarrit që ai përdor prapë, apo me mjetet e armëve të tjera që përdor ende kundër institucioneve dhe policisë së shtetit e të tjerë me radhë
–Avokat, të flasim edhe për një ngjarje tjetër. Një ish-gjeneral i lartë si ambasador amerikan në Shqipëri, siç është 61-vjeçari Erik Uent (Eric Wend). Pse një propozim i tillë i presidentit amerikan Donald Trump për Tiranën?
Të mos harrojmë një gjë: i ka gënjyer mendja ata që mendonin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e kanë mendjen nga Ballkani Perëndimor. Shtetet e Bashkuara të Amerikës vëmendjen e kanë të fortë në Ballkanin Perëndimor, se janë të bindur që dy armiqtë më të betuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në çdo lloj pikëpamje, sidomos në luftën ekonomike por edhe në të tjera aspekte, janë Rusia dhe Kina. Ata e dinë që Ballkani Perëndimor është nyja ku këto frenohen e ndalohen, dhe si rrjedhojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithmonë do ta kenë Shqipërinë jo vetëm aleatin më të ngushtë, por do ta kenë epiqendrën e vëmendjes së tyre. Për rrjedhojë vjen një ambasador që nuk është si të gjithë të tjerët, vjen një gjeneral-lejtnant. E konsideroj sinjalin më të mirë, më pozitiv dhe vlerësoj që kjo do të jetë edhe fundi i atij tranzicioni që i ka bërë varrin Shqipërisë edhe shqiptarëve.
Ajo që ka nisur, lufta kundër pandëshkueshmërisë, do të bitiset jashtëzakonisht mirë dhe unë për këtë kam bindje, sepse nuk është rastësi ardhja e një ambasadori të tillë, i cili është potent nga çdo lloj pikëpamje. Potent sepse po të shikosh karrierën e tij, çfarë detyrash ka ushtruar dhe ku ka qenë: bie fjala, ka qenë në pikat më nevralgjike të marrëdhënieve Izrael-Palestinë; ka qenë me mision te dy Koretë, Koreja e Veriut dhe Koreja e Jugut; ka qenë me mision në Afganistan, që e dimë se çfarë do të thotë dhe çfarë problemesh ka pasur atje. Por të mos harrojmë edhe se ka qenë me një funksion të jashtëzakonshëm special të ndërhyrjes në NATO. Dhe kjo çfarë do të thotë për Shqipërinë?
Ardhja e tij do të thotë që ky vend duhet të bëhet me drejtësi. Më në fund ky popull duhet ta ketë drejtësinë që i ka munguar dhe që ka vuajtur jashtëzakonisht shumë prej saj, dhe ende vuan. Ata që kanë bërë krime nga më të rëndat në këtë vend, që kanë vrarë e kanë grabitur dhe kanë kusuruar sa s’ka ku të vejë më, nuk po ndëshkohen. Pse? Sepse organet ligjzbatuese, me gjithë reformën që është bërë, siç e përcaktoi Juri Kim (Yuri Kim), kanë dy gjëra të rëndësishme: ose janë të frikësuar (janë frikacakë), ose janë të blerë. Ky do t’u heqë frikën këtyre organeve dhe të jeni të bindur për këtë gjë. Do heqë frikën dhe ky këtë rol do ta bëjë jashtëzakonisht mirë.
-Meqenëse përmendët ambasadoren e fundit amerikane këtu në Tiranë, Juri Kim ka qenë e njëjta ambasadore e cila paralajmëroi demokratët që “do hani bar” nëse mbani në krye të Partisë Demokratike Sali Berishën. Tani në Tiranë për herë të parë vjen një ambasador me grada kaq të larta si Erik Uent. Por çfarë mesazhi është ky nga politika amerikane për Shqipërinë, por ndoshta edhe për vetë Berishën, pasi dihet që marrëdhëniet e Berishës me ambasadorët amerikanë kanë qenë gjithmonë konfliktuale?
Ka qenë njëri që e ka mbështetur fort Berishën dhe ai ka qenë Rajersoni (Ryerson). Dhe Rajersoni ka ardhur nga Beogradi, domethënë nga Serbia erdhi ambasador këtu atëherë kur mori pushtetin Sali Berisha. Pastaj me ambasadorët e tjerë Sali Berisha ka qenë armik i betuar i tyre. Por ky ambasador që po vjen, në rast se shqiptarët duan ta kuptojnë se kush po u vjen, mjafton vetëm të shikojnë “syrin qorr” të Shkëlzen Berishës. Sot në komentin që i bënin, thoshin se po vjen një toger që e ka filluar karrierën si toger e të tjera; në atë kampin e Sali Berishës sot flamuri është ngritur gjysmështizë dhe e kanë shpallur ditë zie. Realisht e them këtë gjë dhe jo për propagandë. Realisht e them në këtë aspekt: sa herë paralajmëronte Berisha se do bënte protesta të dhunshme në këtë vend, në Durrës do vinte një anije luftarake amerikane ose do bëhej një stërvitje, çka do të thoshte që ky vend nuk është më në dorën e kriminelëve apo të misionarëve si Sali Berisha me bandën e tij kriminale që mund ta djegin e ta shkatërrojnë si të duan. Ata bënin stërvitje për të thënë që jemi këtu, dhe Saliu me bisht në shalë, domethënë nuk e çonte atje siç u çua në ’97-ën, sepse iu vu kufiri te thana.
Ardhja e këtij ambasadori, të jeni të bindur që do të jetë operacional, siç ka bërë operacione pranë NATO-s, në Izrael, Palestinë, Afganistan e me radhë. Ai do të dijë si të veprojë për t’u dhënë atë që u mungon organeve ligjzbatuese këtu në Shqipëri, posaçërisht SPAK-ut edhe Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar: guximin. Ai do t’ua japë këtë guxim për ta goditur atë që i ka bërë gjëmën Shqipërisë dhe shqiptarëve. Gjenocidistin më të madh, vrasësin më të madh, hajdutin më të madh të pasurive kombëtare, që e filloi me vjedhjen e floririt dhe pastaj nuk la gjë pa vjedhur e pa grabitur. Ne po e shikojmë vetëm me ato asete që i ka zënë SPAK dhe që ka vendosur sekuestro. Janë 27 që ka vendosur, por janë 270 faktikisht që do gjenden. Sali Berisha, me krimet që ka bërë, sidomos me ato krime që e bënë gjithë familjen e tij “non grata”, e kanë dosjen në Shtetet e Bashkuara aq të madhe sa s’ka ku të vejë më. Ajo dosje nuk do rrijë më atje, por do vijë këtu me dy qëllime. E para, ato krime që ka bërë edhe ndaj Shteteve të Bashkuara, duke filluar me aktin terrorist për të hedhur në erë ambasadën amerikane, me aktin terrorist për të vrarë ambasadoren Marisa Lino, me aktin barbar të krimeve të luftës kur Amerika i kishte vënë embargo Serbisë dhe ky jepte karburant e armë.
Ky ambasador do sjellë në SPAK dosjen “non grata” të Berishës, krimet që bëri ai dhe familja e tij. Ai me këtë mision do vijë dhe ne jemi të bindur 1000% që krimet që ka bërë, qoftë me trafikun e armëve, me Bin Ladenin, me Hamasin, në Afganistan, me Ben Aliun, në Libi me Gadafin e të gjitha, do të jenë tashmë në tavolinë. Ai do përgjigjet dyfish edhe në Shtetet e Bashkuara, dhe ka mundësi të çohet “pullë poste” siç u çua Maduro, por do japë llogari në radhë të parë këtu në Shqipëri. Unë jam më se i bindur që ato dosje të fuqishme, duke filluar me 21 janarin, që është vrasje e hapur të cilën ai e pranon vetë, do të zbardhen. Atë vrasje e di shumë mirë Gjykata e Strasburgut, Gjykata e Lartë dhe populli; vetëm SPAK nuk e di akoma, por do të arrijë ta mësojë mirë dhe do vazhdojë me 21 janarin dhe të gjitha krimet e tjera.
Sqarim: Gjithkush prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë.