Juela Nikolli rrëfen historinë e partnerit të ndjerë: Dha jetën duke mbrojtur motrën e tij

Një moment emocional është regjistruar në shtëpinë e Big Brother VIP Albania 5, pasi Juela Nikolli reagoi ndaj një pankarte të vendosur nga Shëndrit Lumi me rastin e Dita Ndërkombëtare e Gruas.

Në pankartë ishte shkruar mesazhi: “Edukoni djemtë të mos bëhen vrasës”, një frazë që Juela e lidhi me një histori personale shumë të dhimbshme nga jeta e saj.

Banorja tregoi se partneri i saj i ndjerë kishte humbur jetën në përpjekje për të mbrojtur motrën e tij, e cila për vite me radhë kishte qenë viktimë e dhunës nga ish-bashkëshorti.

“Partneri im ka dhënë jetën për një histori të tillë, sepse motra e tij ishte dhunuar për shumë vite nga ish-burri. E kam përjetuar në mënyrë indirekte dhe nuk ka gjë më të trishtë sesa të shohësh një femër që është dhunuar për vite në një mënyrë të tillë”, u shpreh ajo.

Juela theksoi gjithashtu se mënyra si ishte formuluar mesazhi në pankartë mund të lërë hapësirë për keqinterpretime.

“Nëse do t’i heqësh dinjitetin një femre, dhuna është gjëja e fundit që duhet të merret në konsideratë. Mënyra se si e ke shkruar lë hapësirë për keqinterpretime”, shtoi ajo.

Në fillim të spektaklit, Juela kishte rrëfyer edhe historinë tragjike të familjes së partnerit të saj, duke treguar se ai dhe motra e tij u vranë në oborrin e shtëpisë nga ish-partneri i kësaj të fundit.

Rrëfimi i saj në shtëpinë e Big Brother VIP Albania 5 ka prekur publikun dhe banorët, duke rikthyer në vëmendje dramën e dhunës në familje dhe pasojat tragjike që ajo mund të sjellë.