Myftiu i Vlorës, Ardit Hoxhallaku, ka reaguar publikisht në rrjetet sociale lidhur me kopertinën e librit “Në Sofrën e Hënës” të kryeministrit Edi Rama. Përmes një postimi në Facebook, ai shpreh shqetësimin e tij duke theksuar se përdorimi i besimit në emër të artit, sipas tij, prek ndjeshmërinë e besimtarëve.
Sipas Hoxhallakut, imazhi në kopertinë ku paraqitet një figurë gjigante në qiell me pamje njerëzore, ndërsa poshtë ndodhen figura fetare që i drejtohen me duar të ngritura, bie ndesh me parimet e Islamit. Ai thekson se në traditën islame nuk lejohet përfytyrimi i Zotit në formë njerëzore.
Myftiu nënvizon se Islami është fe e njësimit të Zotit dhe se në historinë dhe kulturën islame nuk ekzistojnë paraqitje artistike të Allahut, pasi madhështia e Tij nuk mund të përshkruhet përmes figurave njerëzore. Për këtë arsye, sipas tij, një përfaqësim i tillë perceptohet nga besimtarët myslimanë si provokues dhe fyes ndaj besimit.
“Atëherë si mund të paraqitet Zoti me fytyrë njeriu, me mjekër dhe trup, sikur të ishte një krijesë? Dhe kur kjo prezantohet në një tryezë ‘i thënçin’ iftari është akoma dhe më e pa pranueshme dhe e pa konceptueshme. E kur në këtë tryezë ka figura fetare të cilat njerëzit mund t’i shohin dhe si figurat e kopertinës së librit, kjo atëherë bëhet poshtëruese. Historia e njerëzimit na mëson një të vërtetë të hidhur: idhujtaria nuk filloi menjëherë me statuja, por filloi me imazhe dhe përfytyrime të gabuara për Zotin. Kur njeriu fillon ta vizatojë Zotin sipas imagjinatës së vet, ai e zbret Krijuesin në nivelin e krijesës”, shkruan ai në rrjetet sociale.
Në reagimin e tij, Hoxhallaku shton gjithashtu se: “Të paraqesësh një ‘zot me fytyrë njeriu’ dhe përpara tij figura fetare që luten, nuk është vetëm provokim por në të njëjtën kohë edhe ofendim”.