Veprime jonormale me dy vajzat e tij, kapet nga policia pasi sinjalizoi e shoqja

Kapet në Kukës një 40-vjeçar i shpallur në kërkim, detaje nga vendimi i gjykatës

Kukës – Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë bërë të mundur lokalizimin dhe kapjen e shtetasit Q. D., 40 vjeç, banues në fshatin Mamëz.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm kishte lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, e cila e ka dënuar me 5 vite e 8 muaj burgim, nga të cilat i kanë mbetur për vuajtje 3 vite, 6 muaj e 3 ditë.

Sipas vendimit gjyqësor, 40-vjeçari është dënuar për veprat penale “Dhuna në familje”, “Ngacmimi seksual” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Ngjarja lidhet me një kallëzim të bërë në prill të vitit 2024 nga bashkëshortja e tij, e cila ka denoncuar ushtrim dhune në familje. Po ashtu, ndaj tij rëndojnë dyshime për ngacmim seksual ndaj dy vajzave të tij të mitura.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 14 kapsolla detonatorë, 2 fitilë zjarrpërcjellës, 1 granatë ofensive dhe 5 krëhëra automatiku.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë, për veprime të mëtejshme ligjore. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.